Rritja e pagës minimale dhe synimi për të shkuar në 900 Euro për pagat mesatare, Kryeministri Edi Rama thotë se janë rezultat i një pune të të gjatë dhe masave të domosdoshme që janë marrë për ekonominë dhe financat shqiptare.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë shkruan se maja historike e rritjes së pagave do të jetë në 900 Euro në vitin 2024.
“Pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 Eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shkruan Kryeministri Edi Rama.
Postimin e tij e ka shoqëruar me shembullin e një nëndrejtoreshe të arsimit të mesëm të ulët që me rritjen e pagave, rroga i shkon në 86,502 Lekë në Maj 2023 dhe 99,042 Lekë në vitin 2024.