Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me komisioneren e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se në asnjë vend të BE-së nuk ndodh që njerëzit të pezullohen nga fuksionet e tyre pa gjyq.
Ai theksoi se është unike në historinë e Evropës që njerëzit të pezullohen nga funksionet e tyre, duke qenë se janë të zgjedhur.
“Nuk bën vaki në Bashkimin Evropian që njerëzit të pezullohen nga funksionet, është unike në historinë e Evropës kjo, duke qenë se janë të zgjedhur. Nuk bën vaki në BE që kryetarët e bashkisë të merren nga zyra dhe të çohen në burg pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj të tërë.
Nuk bën vaki në Bashkimin Evropian, siç e thotë jo qeveria e Shqipërisë por Komisioni i Torturës së Strasburgut: “Një vend të ketë më shumë të paraburgosur sesa njerëz të gjykuar dhe të burgosur me gjyq”.
Ndaj, në këtë pikë të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Ne kemi tonin. Roli ynë është që të jemi garant të kësaj pavarësie të Shqipërisë, që Shqipëria po e njeh për herë të parë në historinë e vet. Ta mbrojmë këtë pavarësi të gjyqësorit edhe kur rëndon mbi ne në formën e një padrejtësie, sipas nesh. Nuk ka të ngjashme në Evropë, duhet të respektojmë kufirin tonë pa hyrë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur”, u shpreh Rama.



