Situata e përmbytjeve në vend mbetet problematike, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar masat për përballimin e emergjencës. Ditën e nesërme pritet të mblidhet Komiteti i Emergjencave, i cili do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Po nesër, në orën 08:30, kryeministri Rama do të dalë në një deklaratë nga godina e qeverisë, ku do të adresojë paketën e masave dhe të dëmshpërblimeve për qytetarët e prekur nga përmbytjet.
Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, ka shpallur këtë të enjte evakuim të menjëhershëm për banorët e Novoselës, për shkak të rrezikut të lartë nga përmbytjet. Evakuime janë njoftuar gjithashtu edhe në disa zona të qarkut Durrës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qarqet më problematike mbeten Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri, Berati dhe Gjirokastra. Fatkeqësisht, nga përmbytjet në Durrës është regjistruar edhe viktima e parë.
Në qytetin e Durrësit, 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura, ndërsa 55 persona të tjerë janë sistemuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Paraditen e sotme, lumi Erzen ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në disa zona.
Situata mbetet kritike edhe në Vlorë, ku niveli i lumit Vjosë në zonën e Novoselës ka kaluar mbi 9 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Në terren janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të rënda, 10 gomone shpëtimi dhe 15 pompa thithëse.
Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier. Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në zonat e prekura që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara.




