Kryeministri Edi Rama nga Tropoja i bëri thirrje të gjithë demokratëve që të votojnë për PS-në në zgjedhjet lokale të 14 majit. Rama u shpreh se demokratët nuk kanë arsye pse të votojnë Ilir Metën, ndërsa nuk i kurseu ironitë për kryetarin e opozitës, Sali Berisha, duke i vënë dhe etiketimin ‘bace’.
Sipas Ramës, Berisha nuk e ka as emrin në fletën e votimit, ndërsa shtoi se është turp për demokratët që të votojë ‘Like floririn’. Ndër të tjera, Rama nënvizoi se Tropoja do ecë përpara me projektet dhe punët vetëm me Partinë Socialiste dhe nuk duhet të kthehet mbrapa.
“Nëse duan që Tropoja, edhe këto rrugë që ka, të fillojnë dhe t’ia hanë qentë dhe të kthehet mbrapa, të kthehen mbrapa aty ku ishin, por nuk ua ka fajin as Edi Rama pastaj dhe as Partia Socialiste, ua ka fajin zorra qorre dhe koka e vet, që nuk e di se pse i ka ngelur ora në të shkuarën. Unë e kuptoj edhe atë, jo e kemi nga fshati jonë, jo e kemi bacën tonë, jo e kemi vocin tonë, por Like floririn çfarë e kanë këta në Tropojë, se nuk e di? Se atje do çohen në mëngjes, do shkojnë të votojnë dhe te fleta e votimit, ‘Baca’ nuk është. Del vërdallë nëpër Shqipëri, më jepni votën, shkojnë njerëzit të votojnë, nuk është në fletën e votimit.
Si i bëhet? Keni parë në histori ndonjëherë të zgjedhjeve në botë, që njeriut të dalë rrugëve të thotë dua votën, kur shkon të votosh nuk e ke te fleta e votimit? Ja, kështu u katandis kjo punë. Do çohen demokratët e Tropojës, do marrin rrugën te kutia e votimit, bashkë fitojmë, Like floriri. Ka degjenerim më të madh? Ka turp më të madh, për ata që i thonë vetes; ‘jam demokrat, jam i djathtë, nuk dua t’i shoh me sy ata të tjerët’. A ka turp më të madh?”, tha ai.