Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të diel takimin me emigrantët shqiptarë në Milano. Ai u kërkoi emigrantëve që në 11 maj të votojnë Partinë Socialiste pasi sipas tij vetëm kjo forcë politike mund ti garantojë Shqipërisë integrimin në BE.
Rama shtoi se është turp, që pasi tu vijë zarfi me fletën e votimit në derën e shtëpisë në Itali, emigrantët “ta hedhin në kënetën në Shqipëri”.
Ai gjithashtu kritikoi partitë e reja, duke u thënë emigrantëve në Milano se edhe nëse votojnë ata vota e tyre shkon dëm pasi sipas tij këto parti “të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e kryetarit të tyre, asgjë tjetër”.
“Pastaj janë edhe ca të tjerë që vijnë vërdallë edhe këtu në Itali, kanë ca emra jo bëhet jo s’bëhet, jo mundet jo s’mundet, jo bashkë, jo veç. Dëgjoni këtu, ata të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e kryetarit të tyre, asgjë tjetër, kanë mbushur listat me farefis dhe ju premtojnë qiqra në hell. Se ata që nuk kanë gjë në dorë mund të premtojnë të gjithë Milanon, por ta çosh votën te ata është ta çosh dëm. Ne duhet të bëhemi si gishtat e kësaj dore dhe ta vendosim vetë fatin evropian të Shqipërisë”,-tha Rama.