Kryeministri Edi Rama teksa inspektoi investimin në nënstacionin elektrik të Kombinatit, i cili do të mundësojë furnizimin me energji elektrike për 120 mijë banorë, i vlerësoi si të pakrahasueshme me të shkuarën investimet e bëra sidomos në energjetikë nga qeveria e drejtuar prej tij.
Kreu i qeverisë u tregua i ashpër edhe me kritikët, që sipas tij mund të flasin për mungesat në raport me të ardhmen, por jo në raport me të shkuarën.
Sipas tij, qeveria e majtë ka hapur rrugën e vendit për në Europë me reformat e ndërmarra në të gjithë sektorët.
“Jemi në një fazë komplet tjetër të historisë së zhvillimit të vendit. Dhe këtu vjen ndarja ime me ata që janë në të drejtën e tyre të kritikojnë.
Le të flasin për deficencat që kemi në raport me të ardhmen, por në raport me të shkuarën… Si mund të thuash në këto 7 vite e rrënuat këtë popull, e larguat këtë popull pas gjithë reformave të ndërmarra, por energjia është simbol.
Sot jemi në Europë, një vend me probleme dhe sfida, por jemi në Evropë, është rrugë e gjatë por e kemi hapur rrugën këtu, në Shqipëri”, tha kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, ky investim përgjysmon humbjet e energjisë elektrike duke e zbritur nga 17% në vetëm 5% e duke hedhur kështu një hap tjetër të rëndësishëm drejt objektivit për uljen e mëtejshme të humbjeve të energjisë në rrjetin e shpërndarjes.