Rama në konferencën për Ukrainën: S’duhet të lëmë askënd të na japë leksione paqeje

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të enjte në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës që u mbajt në Romë të Italisë.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Rama tregoi gatishmërinë e Shqipërisë për t’i qëndruar në krah aleatëve në çdo kohë në lidhje me luftën në Ukrainë.

“Shqipëria është një vend shumë i vogël me burime modeste, nuk ka fuqi të ndryshojë shumë në fushëbetejë, por ne kemi qenë e do të jemi bashkë me Italinë dhe partnerët evropianë, kurdo e kudo që Ukraina do që ne të jemi”, tha Rama.

Shefi i qeverisë e vuri theksin te paqja, për të cilën tha se Evropa duhet të ketë planin e saj se si të arrijë deri aty. Ai nënvizoi se Evropa nuk duhet të lejojë askënd jashtë kufijve të saj t’i japë leksione se si është paqja.

“Megjithatë dua të ndaj me ju në këtë qytet që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë dhe të rindërtohet, duhet të bëjmë maksimumin që të mos ta lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona. Nuk duhet ta lëmë fjalën paqe të ndajë më tej shtetet tona demokratike.
Nuk duhet të lëmë askënd jashtë kufijve të Evropës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është as agresori, as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Evropës.

Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën, as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës. Ndërkohë që bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos e lënë në baltë Ukrainën, nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte nëse nuk kemi planin kurajoz për paqe”, tha Rama.

Të Fundit