Rama: Më shumë barna dhe investime në shërbimin onkologjik

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala vizitoi këtë të mërkurë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Rama u ndal fillimisht te pacientët e vegjël që trajtohen në shërbimin e Pediatrisë të cilëve u shpërndau dhurata me rastin e festave të fundvitit, duke iu uruar shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në shtëpi.

“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë.” – uroi Kryeministri vogëlushët.

Më tej, kryeministri Rama, vijoi vizitën në Spitalin Onkologjik ndërsa drejtuesja e QSUNT Anxhela Paparizo e informoi se është realizuar rikonstruksioni i një sërë ambienteve, mes të cilave sallat e kemioterapisë ditore, që janë pajisur edhe me aparatura të teknologjisë moderne.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u shpreh se synimi është që shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe nëpër rrethe, në mënyrë që të shmanget fluksi i shtuar në QSUNT.

“Sa i përket vitit që vjen, ne kemi disa gjëra pozitive për shëndetësinë, e cila faktikisht kanë marrë 50 milionë euro më shumë se sa këtë vit. Nuk janë pak për buxhetin tonë dhe janë edhe 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike. Do kemi dhe një 15 milionësh tjetër në mesin e vitit të ardhshëm, për të pasur një rimbursim domethënës në shërbimin onkologjik. Kemi evidentuar në buxhet kapacitetet domethënëse për të rimbursuar mijëra pacientë, ndërkohë që ambicia është për të ngritur një institut kombëtar kërkimor”,- tha Rama.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala shtoi se është realizuar edhe rregullimi i fashave orare, duke i dhënë përparësi pacientëve të ardhur nga rrethet për kemioterapinë ditore, për të cilën është hapur dhe një sallë e dytë me kapacitet më të madh, me poltrone dhe sistem monitorimi bashkëkohor.

Në vijim, Kryeministri Rama zhvilloi një takim të zgjeruar me personelin mjekësor, mjekë, infermierë, ekipe të urgjencës mjekësore dhe specializantë ndërsa u shpreh se do të ketë dhe rritje pagash per mjekët dhe infermierët.

“Ndërkohë që, ju e dini tani, por do vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët, edhe patjetër do vazhdojmë të rrisim pagat edhe për infermierët. Faktikisht do të rritet 135 euro në muaj dhe në ndërkohë është vendosur edhe diçka tjetër për herë të parë, që nuk e kemi patur mundësinë ta vendosim përpara që do të bëjmë dhe një vlerësim në punë”, tha ai.

Gjatë inspektimit, Drejtuesja e QSUNT-së shpjegoi se Pediatria Infektive do të ndërtohet nga e para, ndërsa disa struktura ekzistuese po rikonstruktohen tërësisht. Kardiokirurgjia ka përfunduar ndërtimin dhe aktualisht po punohet për mobilimin dhe pajisjen me shtretër, me qëllim hapjen e saj brenda muajit mars, sipas standardeve bashkëkohore evropiane.

Po ashtu, është rikonstruktuar spitali ditor, i cili do të ofrojë shërbime mjekësore që realizohen brenda ditës, si dhe shërbimi i djegie-plastikës, i cili po i nënshtrohet një rikonstruksioni total, me përfundim të parashikuar në fillim të vitit 2027.

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme është ndërtimi i parkingut të ri multifunksional, i cili do të ketë gjithsej 1 400 poste parkimi dhe do të përmbushë të gjitha normativat për një qendër spitalore të këtij niveli, përfshirë platformën për uljen e helikopterëve të emergjencës, ashensorë të përshtatur edhe për ambulancat, si dhe akses të dedikuar për kategori të ndryshme përdoruesish. Ndërtimi i tij parashikohet të përfundojë brenda shtatorit të vitit të ardhshëm.

Të Fundit