Kryeministri Edi Rama këtë të martë ka postuar një foto me Komisioneren për zgjerimin Marta Kos, si një mesazh ku pritet të zhvillohet Konferenca e 6-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një hap kyç në procesin e integrimit. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan:
“Mirëmëngjes dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord, ju uroj një ditë të mbarë.”
Takimi nis në orën 08:00 dhe do të përqendrohet në Grupkapitullin IV:
“Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Gjatë konferencës pritet të hapen katër kapituj të rinj që përfshijnë Politikat e Transportit, Energjisë, Rrjetet Trans-Evropiane dhe Mjedisin me Ndryshimet Klimatike.
Konferencën do ta bashkëdrejtojnë ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, dhe kryeministri Rama, i cili mbërriti dje në Bruksel. Më pas, në orën 09:15, ata do të zhvillojnë një konferencë për shtyp së bashku me komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Këta kapituj vijnë si shtesë ndaj 24 kapitujve të hapur më parë në pak më shumë se një vit një ritëm që Rama e ka cilësuar si rekord në historinë e negociatave. Shqipëria ka hapur tashmë 4 nga 6 grupkapituj kryesorë, si Themeltoret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë.
Konferenca e ardhshme është planifikuar për më 2 tetor dhe do të fokusohet në grupkapitullin e fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”.
Bashkimi Evropian mbetet optimist për një anëtarësim të plotë të Shqipërisë deri në vitin 2030, ndërsa Rama e ka bërë këtë objektiv prioritet gjatë mandatit të tij të katërt.