Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryetarët e Bashkive të vendit foli edhe lidhur me “Paketën e Maleve”. Rama u shpreh se faza e parë nuk është mbyllur nga shumë bashki teksa e ka cilësuar të papranueshme.
Ai theksoi se ambicia e qeverisë është të arrihen 1 mijë investime nga kjo paketë. Sipas tij në rast se bashkitë nuk e arrijnë këtë target, kryebashkiakët e tyre nuk do të rikandidojnë.
“Jo të gjitha bashkitë e kanë kryer fazën e parë, është e papranueshme, cili duhet të jetë objektivi ynë. Nuk e di a e patë, por në momentin kur paketa e maleve u shpall ditën e parë kishte 700 e kusur interesime nga shqiptarë jashtë atdheut.
Është investim për të tërhequr kursimet e shqiptarëve jashtë dhe shqiptarët jashtë që të kthehen. Si ka mundësi që s’ka mbaruar faza e parë. Ca është kjo shkencë e madhe për të përcaktuar hartën ku do bëhet ky zhvillim. Ca shkence bëni se nuk e kuptoj.
Ambicia jonë duhet të jetë 1 mijë investime nga kjo paketë, dhe po t’i ndash në territor në 60 bashki nuk janë shumë, i kam kërkuar ministrit të përcaktojë se sa investime duhet të jenë futur në proces kur secili prej jush do të pretendojë të rikandidojë. S’do ketë rikandimin nëse s’do jetë arritur targeti i këtij projekti”, tha Rama.



