Rama: Jemi larg kritereve të BE për sigurinë ushqimore, nuk do falim më askënd

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit të PS e vuri theksin tek siguria ushqimore duke thënë se pavarësisht punës së bërë, ende nuk janë arritur standardet e BE.

Rama u shpreh se do të kërkojë një fazë të ndërmjetme, 5 vite pas anëtarësimit në BE, për të plotësuar kriteret për këtë sektor, ndërsa theksoi se nuk do të falet asnjë shkelje në këtë aspekt

“Jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme, pas momentit të anëtarësimit, që t’i japim mundësi vendit të jetë i gatshëm të përmbushë kriteret për të qenë bashkë me familjen europiane. Kjo nuk bëhet ekskluzivisht për ne, është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit, e kanë bërë vende përpara nesh. Kroacia ka negociuar dhe ka arritur të marrë 10 vjet fazë të ndërmjetme për përmbushjen e kritereve në aspektin mjedisor. Beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor, për prodhuesit në fshat, për sipërmarrjen. Në kushtet e sotme, ne jemi të paintegrueshëm në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore. Po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme, 5 vjet pas anëtarësimit, përgatitjet duhet të fillojnë tani. Rrugët e Shqipërisë ishin dhe tregje ushqimore, edhe thertore. Duke u kthyer pas në vitin 2013, gjëja e gjallë therej në rrugë. Shumë përparim është bërë, por jemi ende larg. Duhet të dimë çfarë do thotë kjo. Në momentin e anëtarësimit dhe kur përfundon periudha e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri, nuk mund të shitet përveçse në Shqipëri. Edhe në Shqipëri, ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë. Duhet super punë, por edhe super vendosmëri, për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Puna për t’u bërë është shumë e madhe”, theksoi Rama

Të Fundit