Rama inspekton aksin Librazhd-Prrenjas me ministrin e ri: U bë një perversitet i madh

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot, 7 mars, aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, tashmë i stabilizuar dhe me qarkullim normal për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë, përmes një devijimi provizor në gjurmën e Koridorit VIII.

Kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Përveç tij, edhe ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo, drejtuesi politik i qarkut Elbasan Arbjan Mazniku dhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga nga punimet, është një manipulim i madh, një perversitet i madh, sepse faktikisht, këtu jemi në aksin e vjetër. Aksi i ri nuk është këtu, në kuptimin, nuk është i ndërtuar ende këtu. Akse të reja janë ato që kalojnë për të ardhur deri këtu. Ajo atje është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik, prej mbingarkesës së shirave”, deklaroi Rama nga terreni.

Më pas, në tryezë, ai ritheksoi se rrëshqitja është një fenomen plotësisht natyror.

“Plaga prej 150 metrash ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike”, tha Rama në përgjigje të aludimeve mbi mënyrën si janë kryer punimet.

Teksa u shpreh i keqardhur për faktin se dëmet e kohëve të fundit kanë shqetësuar kryesisht banorët e zonës, paralajmëroi kalendar punimesh dhe afate të reja.

“Me ndihmën e Zotit, në një periudhë kohe kur s’do kemi mbi kurriz të gjithë shiun e këtij dimri që po del më në fund…”, tha Rama.

Ndërkohë, kreu i ARRSH-së (Autoriteti Rrugor Shqiptar) Ami Kozeli, sqaroi të gjithë punën e bërë për 10 ditë në këtë aks rrugor.

“Përmes sondave, zbuluam ca pellgje nënujore, u morën masa për disiplinimin e tyre. Edhe për ujërat sipërfaqësore, më pas arritëm të çlironim trafikun. Këto punime, na shkaktuan pezullim të punimeve për Korridorin e VIII në këtë segment”, tha ai.

Të Fundit