Kryeministri Edi Rama është shprehur i prerë gjatë një fjalimi në Kuvend dhe ka thënë se nëse Sali Berisha vendoset në krye të PD, atëherë shumica do të ndërpresë çdo marrëdhënie me selinë blu.
“Ndërkohë do ishtë mirë që dy gjëra të jena shumë të qarta, e para me Saliun ne nuk kemi punë. Saliu për ne është i vdekur. Kuptohet politikisht dhe institucionalisht, jo biologjikisht, sinqerisht ne i urojmë jetë të gjatë. Kështu që me të vdekurin që e keni mes të shtëpisë dhe s’dini ç’ti bëni ne mos na ngatërroni. Kjo është e para. Ne nuk e zgjedhim se kush e drejton grupin tuaj parlamentar apo PD. Nëse ju do bëni zgjedhjen që të drejtoheni nga një i vdekur ne do të ndërpresim çdo marrëdhënie, e rëndë e lehtë këtë e gjykoni ju. Për ju nuk ka gjë të rëndë më, sepse ju e keni kaluar ylberin, kështu që gjëra të rënda për ju s’ka. Kur një grup njerëzish bindin veten që një i vdekur është i gjallë dhe dalin për të bindur popullin që i vdekuri që i udhëheq është i gjallë ata janë vetëm për t’u mëshiruar. Çdo gjë që mund të bëjnë që ka një kuptim duhet përgëzuar, përshëndetur e mbështetur sepse janë momente në lidhje me realitetin që ana njerëzore detyron t’i konsiderosh mer respekt, kështu që e rëndë, e lehtë kjo, s’ka rëndësi fare pra.
Nëse ju do të keni Saliun në krye është zgjedhja juaj. Unë nuk po merrem me të, po merrem me ju, sepse ju jeni këtu. Dhe duke qenë se ju jeni këtu me ju komunikojmë dhe ndërveprojmë dhe këtë proces për të cilin po flasim, si këtë proces ta bëjmë duke u konsultuar edhe me ju. Pro duke qenë se një pjesë e juaja këtu dhe mesa shoh po shtoheni përditë dhe po bini dakord që është gjallë. Meqenëse është gjallë, thjesht për ta ditur kjo nuk ka asnjë rëndësi për ju, s’ka problem, është çështje e juaja ekskluzive, por sa i takon përderisa po flasim për një proces konsultimesh është shumë mirë që gjërat të thuhen hapur dhe drejtpërdrejtë dhe e dyta, mos i qani hallin as zarfeve, as sekreteve, as mënyrës si funksionon PS”, u shpreh Rama.