Kryeministri Edi Rama ka folur sot për ndërtuesit, si pjesë e dialogut me biznesin. Rama nuk i kurseu kritikat për cilësinë e ndërtimeve që sipas tij, ndryshe janë në projekt dhe ndryshe i zbatojnë duke sjellë zhgënjim te blerësit.
“Vazhdohet të punohet me veshë, pa partiturë. Edhe pse ka një ndryshim, prapë standardet e zbatimit të projekteve janë larg asaj që duhet të jenë dhe dëmet që shkaktohen si dëme kolaterale vazhdojnë të jenë prezentë. Ne e kemi kaluar një bllok të ri masash ligjore lidhur me ndërtimin, shpresoj që të ndihmojë për të rritur cilësinë.
Njerëzit paguajnë jo pak për të marrë një shtëpi dhe jo vetëm paguajnë jo pak, por është ëndrra e tyre. Janë paratë e një jete, ose kredi që duhet një jetë që të shlyhen dhe nuk ka dëm më të madh se të paguajnë për të marrë një produkt të cilësisë së parë dhe të marrin të cilësisë së tretë”, tha ai.
Sa i përket pagesës për taksën e infrastrukturës, kreu i qeverisë tha se është diçka që po diskutohet, “por në të gjitha rastet duhet të jetë e lidhur dhe kjo me performancën e kompanive”.
“Ndryshe nuk mund të marrim përsipër aventura për kompani që kanë hapur gropën dhe nuk paguajnë dot se ashtu është një muhabet. Është diçka që po diskutojmë, por nuk kemi një ndryshim imediat të gjësë. Unë them të mos shkojmë te garancia, se po shkuam do thuhet ku t’i gjejmë lekët e garancisë.
Është diçka komplekse. Ajo që ndërtuesit duhet të kuptojnë është se ky vend u ka dhënë më shumë se sa po japin mbrapsht, sa i përket cilësisë.
Në terren shpesh nuk ngjajnë fare. Nuk mund të tolerohet siç ndodhi para kohësh me një zonjë që kishte blerë apartament me ballkon dhe kur shkoi nuk ishte ballkoni dhe i kishte hapur derë në kat të parë në rrugë. Këto gjëra janë kriminale siç është kriminale që njerëzit paguajnë për një shtëpi dhe nuk marrin dot hipotekën”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se “gjërat do të ndryshojnë sepse ne kemi vendosur dhe listën e zezë. Kush hyn në listën e zezë nuk mund të marrë dot leje për disa vite”.
“I tregoni projektet, kur i shikojnë thonë sa bukur. Duhet të ngrini nivelin dhe mos e kërkoni te pasqyra fajin, fajin kërkojeni te fytyra. Nuk ka absolutisht asnjë borxh që ndërtuesit të mos i qëndrojnë korrekt ligjit, atyre që paguajnë, shoqërisë dhe të ardhmes. Është një gjë që e vendos në mes të mexhelisit dhe është aty për 1 mijë vjet. Ty nuk të është dhënë e drejta të bësh një gjë të shëmtuar, të është dhënë e drejta për të bërë një gjë të bukur.
Keni parë ndonjë vend të bukur që është i varfër, nuk ka. Vende të shëmtuara që janë të varfra po. Këtë punë e ndan arkitektura. Është shëmtuar Shqipëria në një pjesë të saj, që nga katrahurat që janë bërë në Golem. Për sa na takon po bëjmë maksimumin që të ngremë nivelin, pikërisht për këtë. Merr leje për të bërë një godinë spektakolare dhe bën një kafaz pëllumbash”, vijoi Rama.
Ai kërkoi nga ndërtuesit maksimumin e përgjegjshmërisë.
“Paqe me ndërtuesit nuk ka, paqe fiskale për të gjithë po, paqe me ndërtuesit për standarde jo. Më keni mbrapa këmba-këmbës, mua dhe të gjithë që varen nga unë. Paqe me ndërtuesit nuk ka, nuk ka për të pasur. Duhet të performojë me maksimumin e përgjegjshmërisë.
E para e punës, mbështetje ju që akoma deklaroni punonjës me 500 mijë lekë, kur e dimë shumë mirë dhe ti dhe unë dhe jam i bindur po të pyesim dhe peshqit e liqenit artificial do na e konfirmojnë, nuk ekziston punonjës me 500 mijë lekë me pagë minimale në ndërtim. Nuk vjen me 500 mijë lekë të shtrojë një pllakë burri i botës, jo të marrë 500 mijë lekë në muaj. Ju vazhdoni keni në sektor deklarim…Nuk keni faj ju, na i ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa vitesh që ka vendosur që nuk mund t’ju vendosim juve tavan dhe ju lozni. Bëjini deklarimet dhe paguani! Deklarojini ato paga!
Çfarë mbështetje kërkoni ju? Jeni sektori me më shumë fitim në Shqipëri. Ju duhet të na mbështesni ne. Jeni sektori me mëshumë fitim në Shqipëri dhe jeni sektori ku shfrytëzohen punonjësit më shumë në Shqipëri. Tani keni filluar ta kuptoni që nuk luhet me punonjësit se pastaj nuk gjen punonjësit. Që të mos ju ngelen ndërtimet pa bërë, shkundini mirë ato xhepa se i keni të fryrë shumë dhe jepuni punonjësve nga 1500-2000 euro rrogën. Kërkoni vetëm që të mos jeni në listën e zezë, kaq”, deklaroi Rama.


