Rama: Gati një plan më agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve

Kryeministri Edi Rama në një takim të hapur me pensionistët u shpreh se tashmë qeveria ka një plan agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit.

Rama theksoi se pagat në vendin tonë janë në nivele konkurruese me rajonin, por problem është se këto paga nuk deklarohen të plota dhe ky përbën problem për pensionet.

Edi Rama: Ne kemi bërë një reformë në 2014 dhe nga ajo reformë e kemi rritur në afro 300 mijë numrin e kontribuesve në sigurimet shoqërore sepse ishte përtokë, por ka ende një shmangie jo më nga punë në të zezë, por nga deklarimi jo i vërtetë i pagës dhe mjafton të shikojmë se çfarë ndodh me ndërtimin dhe turizmin ku shohim që pagat janë në nivele konkurruese dhe ndërkohë deklarimi i pagave është shumë më i ulët sepse qoftë punëdhënësi dhe punëmarrësi mendojnë që këto para që janë për pensionistët janë një ngarkesë që ata mund ta heqin duke i shkelur syrin njëri-tjetrit.

Kur ne mbledhim sigurime shoqërore ata kalojnë tek ata që sot janë në pension, menjëherë dhe për këtë arsye e kemi bërë një plan shumë agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarësit, por edhe nga ata që janë punëmarrës dhe që pranojnë të marrin në dorë paratë të cilat na bëjnë një dëm të dyfishtë.

Sot që flasim ka një pafundësi ankesash në Institutin e Sigurimeve Shoqërore sepse njerëzit habiten me pensionin që marrin, sepse thonë që pagën e kanë pasur më të lartë. Në fakt kanë pasur më të lartë pagën duke futur aty edhe atë që kanë marrë nën dorë, por ajo që kanë marrë nën dorë nuk figuron në regjistrin e shtetit. Faktikisht ti i ke hapur vetes një gropë ku bije vetë brenda kur del në pension, por ndërkohë ke bërë dëm edhe për pensionistin që duhet t’i merrte ato lekë çdo muaj, sepse kështu funksionon. Është zinxhir dhe për këtë arsye aq sa paguan sigurime shoqërore, aq të del edhe pensioni. Për këtë arsye ne do të ndërhyrjmë shumë fortë kundër kësaj vjedhje sepse duam ta rrisim volumin e të ardhurave nga kontiributet e sigurimeve shoqërore për të pasur një rritje të qëndrueshme të pensioneve.

Ndër të tjera Kryeministri ka sqaruar edhe pjesën e indeksimit prej 4.1% të pensioneve.

Edi Rama: Dua ta sjell në vëmendje sepse u bë një bolori e madhe me atë 4.1% e indeksimit se këtu tani ju e dini mirë se në fakt për hir të vërtetës pensionistët në Shqipëri janë analistët më të mirë politik dhe prandaj nuk i hani ato broçkullat që çfarë nuk sajojnë. Këtu kanë dalë shumë tani që thonë se na jepni ne votën se do jua bëjmë pensionin 1 milion, se kush nuk ka gjë në dorë e bën edhe 5 milionë. Ne që e kemi detyrimin dhe në dorë vendimin duhet të matemi shumë mirë. Ai 4.1% nuk është rritje pensioni, por indeksim.

Është me ligj dhe ligji e ka që çdo vit duhet ndërhyrë për të kompensuar rritjen e çmimeve. Ka një llogari që bëhet dhe llogaria që bëhet nxjerr 4.1 apo 3.9 dhe qeveria ka detyrimin ta paguajë. Kemi bërë një indeksim dy herë kur ishte koha e krizës së luftës në Ukrainë që u rritën të gjitha. Ajo që duam të bëjmë është krejt tjetër gjë. Janë rritur mundësitë sepse po të mos ishin rritur mundësitë në pikën që të jemi në gjendje që të kemi një tjetër qasje ndaj pensioneve unë do ju përsërisja të njëjtën gjë. Tani mund të fillojm të mendojmë ndryshe sepse është rritur ekonomia.

Të Fundit