Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për shtyp para gazetarëve ndër të tjera është ndalur edhe tek fushata e PS, duke e cilësuar atë një spektakël të luksit dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve të thjeshtë.
Berisha theksoi se në fushatë Edi Rama u braktis nga qytetarët dhe në qendër të vëmendjes mbeti vallja e lubisë duke iu referuar zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila sipas tij, ishte e veshur me aksesorë që kapnin shifra të larta.
“Nuk mund të ketë një politikë më të pamëshirë se këto.Prandaj Edi Rama përpiqet t’i mbulojë me zhaba, hardhucë, zhapinj dhe nuk flet asnjë fjalë për hallet e qytetarëve. Prandaj ka bllokuar studiot televizive, nuk del në debate as vet, as me përfaqësuesit e tij, duke e parë që e kanë braktisur. Se ishte një braktisje poshtëruese ajo që i ndodhi atij. Atij i mbetën vetëm vallja e Lubisë dhe Lubive të tjera me aksesorë që zbrisnin minimumi 1200 Euro më e vogla. Por nuk është koha që të tregosh luks para të varfërve. Nuk sfidohen të varfrit me luks. Duhet të kuptojmë këtë gjë. Njeriu mund të ketë pasione, por po i sfidove me luks të varfrit, tregon se je shumë i pashpirt. Edi Rama merr orën 500 mijë Euro me diamante, prandaj ata vazhdojnë të hanë dardha si Rama. Pra ishte një fushatë e denjë me atë vallen që mbyllën. Nuk janë tre hajdutë ata, janë 30, por ishte sikur t’ua kisha shkruar unë skenarin, ashtu e zbatuan,” deklaroi Berisha.
Lideri demokrat u shpreh se Rama është shkaku i largimit të qytetarëve jashtë vendit.
“Edi Rama ka dy muaj që përçmon shqiptarët duke mos paraqitur para tyre asnjë alternativë, duke u përpjekur që hapësirën mediatike, komunikimi për qytetarët, në vend që të jetë për programet, ta shndërrojë në një parodi, merret me bretkosa, me zhaba, me mustaqe… i kanë mbetur shumë merak mustaqet e Gjuzit, nuk hyjmë për ta analizuar këtu, me idilin me Bravën… Pra, a janë këto shqetësimet e qytetarëve shqiptarë? Nuk mund të jenë këto shqetësimet e qytetarëve shqiptarë. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë kanë probleme të tjera madhore. Po Edi Rama pse nuk hyn te këto? Edi Rama nuk hyn te këto se është shkaku i tyre. Është shkaku kryesor i të gjithë vështirësive të mëdha me të cilat përballen shqiptarët. I largimit të tyre nga Shqipëria. I papunësisë. I rrogave të ulëta, varfërisë dhe mjerimit. I vjedhjes gjer tek ilaçet”, tha Berisha.