Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarët në Maliq, i kushtoi një rëndësi të veçantë negociatave me BE-në, në mënyrë që Shqipëria të jetë një anëtare e saj.
Ai nënkuptoi se për Shqipërinë është një hap i madh edhe fakti që vendit tonë i është hapur dera drejt këtij rrugëtimi, duke shtuar se para kësaj, është bërë e gjitha puna e nevojshme për të arritur në këtë pikë.
“Sot për arsye që nuk anë të bëjnë vetëm me ne por kanë të bëjnë edhe me Evropën, janë përputhur dëshirat dhe vullneti në një moment, jo vetëm ne duam të hymë në BE, por edhe BE do të na marrë brenda. E kemi bërë të gjithë punën tonë për të qenë gati.
Duke e ditur se historia e antarësimeve të reja, nuk lidhet thjeshtë me sa ka bërë një vend që të antarësohet, por sa e gatshme është Europa që të hapë derën.
Hapja e derës sot ka ardhur si rezultat i faktit që ne jemi gati, por edhe ata janë gati. Duam të japim mesazhin që Evropa po zgjerohet, po rritet në numër, po unifikohet. Ata vërtet e kanë hapur derën por ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Që ta kapërcejmë pragun dhe të hyjmë në sallon kryesor, duhet të mbyllim negociatat. Edhe dy vite kohë ka, por kini parasysh që negociatat zhvillohen mes dy palësh.
Negociatat zhvillohen mes dy palësh, janë rreth një mijë vetë nga ana jonë, dhe një mijë nga ana tyre që merren me negociatat, kjo për të kuptuar se çfarë volumi pune është. Duhet bërë marrëveshja që dhe Europa të kuptojë që ne jemi gati të hymë”, tha Rama.