Rama: Do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes! Mora ftesë nga Trump

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në podkastin “FLASIM” ka folur edhe lidhur me ftesën e marrë për ‘Bordin e Paqes’. Rama ka njoftuar se ka marrë ftesë këtë javë nga presidenti amerikan, Donald Trump për të udhëtuar drejt Uashingtonit.

Ai më tej vuri theksin se vendi ynë do të jetë e privilegjuar pasi do të jetë shtet themelues i Bordit të Paqes.

“Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar.

Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”, tha ai.

Të Fundit