Rama dekoron zjarrfikësit: Së shpejti do kemi një flotë avionësh për zjarret

Kryeministri Edi Rama dekoroi në një ceremoni publike të gjithë zjarrfikësit, punonjësit e emergjencave civile, forcave të armatosura dhe efektivët e policisë, të cilët dhanë një kontribut të madh në shuarjen e zjarreve të verës.

Shefi i qeverisë vlerësoi maksimalisht kontributin e dhënë nga të gjithë punonjësit dhe theksoi se shteti nuk u thye, pavarësisht se u përball me një situatë të paprecedentë më parë nga zjarret.

“Qëndresa e njerëzve tanë ka ndalur atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral dhe, larg qoftë, një asgjesim njerëzor në përmasa dramatike. Qindra mjete zjarrfikëse, helikopterë dhe avionë, pothuajse 100 misione nga ajri, qindra ndërhyrje në tokë, dhe ky shtet, i sfiduar si asnjëherë më parë nga zjarret, nuk u thye. Përkundrazi, tregoi se mekanizmi i mbrojtjes civile, nga fshati më i largët deri në qendrën e Tiranës, mundi të jepte më të mirën, edhe pse ka akoma shumë për t’u bërë”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te kritikat pse Shqipëria nuk ka ende një flotë avionësh zjarrfikës për zjarret. Ai theksoi se edhe shtete të fuqishme, që kanë dhjetëra avionë, nuk mund t’i përballonin fuqisë së zjarreve të kësaj vere, të cilat dogjën në Bashkimin Evropian rreth 1 milion hektarë tokë.

Rama shtoi se Shqipëria do të ketë së shpejti një flotë të avionëve zjarrfikës, ku fillimisht do të blihen dy prej tyre.

“I gjithë Mesdheu dheu ishte në flakë si asnjëherë më parë këtë verë. Këtë e thotë dhe bilanci tragjik: në Spanjë u shkrinë 400 mijë hektarë, në Portugali mbi 235 mijë hektarë, pesë herë më shumë se mesatarja e viteve të fundit. Në Itali afro 60 mijë hektarë, ndërkohë që Turqia numëroi edhe 17 viktima, përveçse humbi dhe qindra hektarë pyje. Ndërkohë që dhe Greqia pa tmerr me sy. Imagjinoni që Bashkimi Evropian ka dalë këtë verë me 1 milion hektarë tokë të djegur.

Ndaj, kur dëgjojmë zëra që shajnë Shqipërinë pse nuk ka avionë zjarrfikës, duhet të mbajmë parasysh një të vërtetë shumë të thjeshtë: avionët nuk janë magjistarë, ata janë ndihmës të fuqishëm, të cilët nuk na kanë munguar falë mekanizmit evropian të mbrojtjes civile. Nuk janë asesi të plotfuqishëm: 21 avionë të gjeneratës së fundit nuk e pengojnë dot djegjen e zonës së Izmirit. Ashtu sikundër, forca më e madhe ajrore e planetit nuk mundi ta shmangte shkrumbimin e një vendbanimi sa Tirana në Los Angeles. Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë, dhe padyshim që edhe ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë, që do të fillojë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës”, tha Rama.

Të Fundit