Rama: Ca trimosha të BKH erdhën në Kryeministri, s’donin të linin patllaken te dera

Kryeministri Edi Rama tha në podkastin e tij Flasim se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të hequr pezullimin e Ballukut eliminoi një precedent të rrezikshëm ku gjyqtari tentoi të merrte kompetencat e qeverisë.

Rama tha se ka ardhur koha për një reflektim serioz profesional dhe ndërinstitucional lidhur me drejtësinë e re për të shmangur ushtrimit me papërgjegjshmëri të sistemit.

Kreu i qeverisë komentoi një episod ku, sipas tij, agjentë të BKH kanë hyrë në godinën e Kryeministrisë, duke mos respektuar madje as rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.

“…Por unë, nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.

Pra, nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrsesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama.

Të Fundit