Rama: Ankimimi për pezullimin e Ballukut, betejë për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe njëherë tjetër te rasti ndaj Belinda Ballukut, duke theksuar qëndrimin e tij për moscënimin e parimit të ruajtjes së balancës mes pushteteve kushtetuese në vend. Ai përsëriti edhe njëherë se ankimi që ka bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është betejë politike, por institucionale.

“Edhe njëherë, dua ta theksoj, se ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvenie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo qoftë, përfshirë edhe këto shpjegime, të cilat janë të domosdoshme për ata që më kanë besuar privilegjin e udhëheqjes së këtij vendi, por është një betejë institucionale, një betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykatës, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike”, tha Rama.

Sipas tij, pezullimi i zv/kryeministres Balluku është “de facto nënshtrim brutal i ekzekutivit që sjell përditë pasoja pas pasojash”. Gjatë podcastit të tij “Flasim”, ku gjen kohë të ndajë edhe “Shënimet e javës”, Rama thotë se arsyeja pse ndan herë pas here me publikun shembuj është për të kuptuar se çfarë po kalohet dhe çfarë po përpiqet të bëjë teksa kjo problematikë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Ai theksoi se pasojat dhe dëmet mund të bëhen të pallogaritshme. Shembull merr edhe arrestin e kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe atë të kreut të KESH-it, Erald Elezi duke theksuar se nuk mund të zëvendësohen dot pas pezullimit të Ballukut pasi kjo kompetencë i takon ministres

“Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, se kjo po, kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit – për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipëri. Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë. Mirëpo, pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtëpërdrejtë me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit edhe të drejtën e këtyre emërtesave. Kaq e thjeshtë është pse ministri nuk mund të pezullohet si të ishte një funksionar publik i çfarëdolloj niveli tjetër”, tha Rama.

Ai thekson ndër të tjera se ndërhyrja “brutale në trupin e qeverisë është një kambanë alarmi”.

“Duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur në pozicionet kushtetuese njëri-tjetrin, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar”, tha kryeministri.

Ai foli edhe për aksionin për lirimin e hapësirave publike. Sipas kreut të qeverisë, puna do të vijojë dhe se vetëm në kryeqytet janë liruar mbi 100 mijë metra katrorë.

“Duke e rikthyer sërish vëmendjen tek hapësirat publike, edhe gjatë kësaj jave, puna për çlirimin e tyre vazhdon. Shtesat vend e pa vend, uzurpimet e pajustifikueshme dhe të patolerueshme vazhdojmë t’i përballim, pa u ndalur për asnjë moment. Ndërkohë që, në Tiranë ka ecur më tej puna dhe sasia e hapësirave të çliruara ka kapërcyer mbi 100 mijë metra katrorë, edhe në Vlorë, ku problematika është jo e lehtë, puna ka ecur me çlirimin e një segmenti kyç, jo vetëm për Vlorën, por edhe për industrinë tonë kombëtare të turizmit, që është rruga Transballkanike, një zonë e rëndësishme, ku qytetarëve iu janë rikthyer sërish ambientet e tyre të përbashkëta, natyrisht kanë nevojë të rikualifikohen, por njëkohësisht edhe të gjithë atyre që masivisht kalojnë nga ajo rrugë, do t’ju çelen sytë, kur i thonë fjalës”, tha ai.

Rama u shpreh se do të vijojnë dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2026, duke theksuar se Shqipëria është në një nivel tjetër tashmë.

“Ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate, një mbështetje e paprecedentë, për Shqipërinë 2030, jo vetëm meritojnë çdo vit e më shumë, por do të kenë çdo vit e më shumë, pasi barra e borxhit ndaj tyre është e tillë që do të na bëjë të vazhdojmë të rrisim punën tonë përditë e përditë”, tha ai.

Të Fundit