Rama: Vendimi, në shenjë solidariteti me Turqinë mike
Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna e 13 Shkurtit, të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.
Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama i cili thotë se ky vendim është marrë edhe “në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”.
“Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, shkruan Rama në mesazhin e tij.
Shqipëria i është bashkuar që në orët e para dhimbjes që ka shkaktuar tërmeti shkatërrimtar në Turqi, ndërsa ka dërguar edhe një numër të konsiderueshëm forcash të kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti.