Qumështi i ndotur me toksinë kancerogjene, AKU zbulon rastet në Vlorë

Autoritetet e sigurisë ushqimore në Vlorë kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1, një toksinë kancerogjene dhe tejet të dëmshme për shëndetin, në disa mostra qumështi dhe nënprodukteve të tij.

Sipas AKU-së, nga 26 mostra të marra për analiza gjatë periudhës janar-prill 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive për këtë substancë të rrezikshme. Për pasojë, gati 40% e qumështit të kontrolluar është i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore.

Kontrollet u realizuan pas informacionit të marrë për një sasi qumështi të dyshuar që po shpërndahej në tregun e Vlorës. Gjatë muajit mars, AKU ka analizuar mostra qumështi të marra në mënyrë rastësore nga tregtarët dhe prodhuesit dhe ka konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 në disa prej tyre. Kjo substancë është kancerogjene dhe rrezikon veçanërisht shëndetin e fëmijëve dhe konsumatorëve të rregullt.

Në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, qumështi dhe nënproduktet e dyshuara janë tërhequr menjëherë nga tregu. Megjithatë, dyshohet se disa nga këto produkte mund të jenë konsumuar tashmë. Aflatoksina M1 është një toksinë që krijohet nga myku që rritet tek drithërat si misri dhe gruri dhe, kur lopët ushqehen me foragjere të kontaminuara, kjo kalon te qumështi që ato prodhojnë. Konsumi i qumështit të kontaminuar mund të shkaktojë pasoja të rënda për shëndetin, duke përfshirë rritjen e rrezikut për kancer dhe dëmtimin e organeve të brendshme.

AKU ka apeluar për kujdes të shtuar në konsumimin e produkteve të qumështit nga burime të pasigurta dhe po vijon monitorimin e situatës për të siguruar shëndetin e konsumatorëve.

Të Fundit