Qeveria vendos ta shpërndajë para kohe, ja kur do të mund ta marrin pensionistët bonusin e pranverës

Pensionistët nuk do të presin pranverën për të marrë bonusin e premtuar të radhës, por do të mund ta tërheqin që në muajin shkurt.

Lajmin për këtë afat sikundër edhe për vetë dhënien e bonusit të pranverës e dha i pari i qeverisë, Edi Rama në daljen e djeshme për mediat. Ai vuri në dukje se pensionistët nuk kanë përse të presin pranverën apo periudhën zgjedhore, siç edhe akuzohet se po e bën për këtë arsye që të marrin atë që iu takon.

“Nuk do presë as ekonomia të mbarojë zgjedhjet dhe të marri atë që i takon. Pensionistët nuk do presin të mbarojmë zgjedhjet ne, do e marrin që në shkurt. Se si e mendojnë ata që mendjen e kanë mbrapsht kjo është festa e madhe e demokracisë. Kështu që nuk kam asnjë shqetësim. Nëse i referoheni arkivave, para disa muajsh e kam thënë prisja që Ministria e Energjisë të bënte projeksionet për uljen e çmimit”, nënvizoi kryeministri.

Që në nëntor ai lajmëroi një bonus të dytë, pas atij të fundvitit, i cili do të jepet edhe në vazhdimësi në varësi të zhvillimit të ekonomisë.

BONUSI

Kryeministri Edi Rama është shprehur se qeveria vendosi shpërndarjen e bonusit për pensionistët edhe në pranverë përveç dimrit, për shkak se ekonomia shqiptare është rritur. Komentet Rama i bëri gjatë një deklarate për mediat bashkë me zv.krye ministren Belinda Balluku, ku foli rreth vendimit të ekzekutivit për uljen e çmimit të energjisë elektrike me 1 lek për kWh.

Rama tha, gjithashtu, gjatë fjalës së tij se bonusi i pensionistëve për Vitin e Ri dhe në pranverë nuk do të jetë vetëm për këtë vit për qëllime elektorale, por do të jetë aty edhe në vazhdim. Për këtë, as nuk i intereson çfarë thonë të tjerët, duke e konsideruar përdorimin politik.

“Për çdo gjë që kam bërë, bëj dhe do bëj, njerëzit do thonë dhe nuk më intereson se çfarë thonë. Thanë edhe që bonusi i pranverës për pensionistët është elektoral, unë vetë si qenie jam elektoral që kur dal nga shtëpia, prandaj kështu do thonë për çdo gjë që unë bëj. Por ajo që më intereson mua është që pensionistët do të marrin një bonus tjetër, sepse ekonomia po rritet dhe rritjen e duam ta kemi gjithëpërfshirëse. Pra, të gjithë të marrin pjesën e tyre nga kjo rritje. Ajo që mua më intereson është e vërteta. Bonuset e pensioneve janë aty për të qëndruar, si rezultat i projeksioneve dhe rritjes së ekonomisë. Ulja e energjisë është aty për të qëndruar”, deklaroi kreu i qeverisë nga konferenca e djeshme.

Të Fundit