Qeveria ka vendosur të ndërmarrë masa për stabilizimin e çmimeve të karburanteve, pas një analize të situatës së fundit në treg dhe ndikimit të zhvillimeve të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në këtë kuadër, do të ngrihet Bordi i Transparencës, një mekanizëm që do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim monitorimin dhe kontrollin e çmimeve të karburanteve.
Paralelisht, akciza do të reduktohet në 20%, një masë që synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe uljen e çmimeve në treg. Gjithashtu, janë përcaktuar marzhet e fitimit për operatorët e tregut: 3 lekë për litër për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për litër për tregtinë me pakicë.
Bordi i Transparencës do të mblidhet rregullisht sa herë që evidentohen luhatje të ndjeshme në çmimet e bursave ndërkombëtare dhe do të vendosë çmimet tavan mbi të cilat nuk do të lejohet tregtimi. Çdo shkelje e këtyre çmimeve nga tregtarët do të konsiderohet shkelje e rëndë administrative, e cila mund të çojë deri në pezullimin e licencës së aktivitetit.



