“Qeveria nuk toleron kritikat” Kundërshtoi bllokimin e “Instagramit” në Turqi, arrestohet e reja

Një gjykatë turke urdhëroi dje, të hënën, arrestimin e një gruaje me akuzën e nxitjes së urrejtjes dhe fyerjes së presidentit pasi ajo kritikoi ndalimin e vendosur në platformën e rrjeteve sociale Instagram.

Turqia bllokoi hyrjen në Instagram më 2 gusht, duke pretenduar se faqja e mediave sociale nuk përputhet me “ligjet dhe rregulloret” turke dhe ndjeshmëritë e opinionit publik turk.

Ndalimi u hoq të shtunëns, pas njoftimit se media, e cila është në pronësi të Meta Platforms, kishte rënë dakord të bashkëpunonte me autoritetet për të adresuar shqetësimet e qeverisë.

Në një intervistë të postuar në një kanal në YouTube javën e kaluar, kur Instagram ishte ende i bllokuar, një grua, e identifikuar si Dilbura Y. ishte një nga disa kalimtarët e pyetur se çfarë mendonin për ndalimin.

E reja tha, sipas mediave lokale: “Nëse ne i lëmë vendin në dorë një burri të vetëm, ai do ta përdorë si të ishte pronë e babait të tij”.

Në intervistën e saj, e reja tha për personat që mbështesin ndalimin e Instagramit dhe vrasjen e qenve endacakë: “Ju jeni idiotë. Ju po ia dorëzoni të gjitha të drejtat e lirisë suaj një personi të vetëm”.

Arrestimi i djeshëm, i cili u urdhërua nga një gjykatë lokale në Izmir, erdhi pasi kreu i bordit të transmetimit RTUK të Turqisë kritikoi intervistat në rrugë të publikuara në mediat sociale, duke pretenduar se ato “manipulojnë opinionin publik”.

Ndalimi i Instagramit u vendos pasi një zyrtar i lartë turk akuzoi rrjetin social për bllokimin e postimeve që shprehnin ngushëllime për vrasjen e Ismail Haniya, liderit të grupit islamik palestinez Hamas.

Në të njëjtën kohë, Oda e Avokatëve të Smirnës ka lëshuar një deklaratë me shkrim duke reaguar për arrestimin e të resë.

“Ne duam një gjyqësor të pavarur”, tha Oda e Avokatëve në deklaratën e saj.

“Qeveria nuk toleron kritikat. Po u hiqet liria e shprehjes dhe dënimet e paligjshme vazhdojnë të ekzistojnë nën regjimin e një njeriu… Urdhrave të “arrestit” të lëshuar si formë dënimi pa gjyq sot iu shtua një i ri. Ditën e sotme një person në Izmir është arrestuar vetëm pasi ka shprehur mendimet e tij në një intervistë në rrugë. Menjëherë t’u jepet fund arrestimeve joproporcionale, të paligjshme dhe “paraburgimeve” të krijuara për të heshtur dhe frikësuar anëtarët e shoqërisë. Zbatoni ligjin!’

Të Fundit