Qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht strategjinë e re të turizmit 2024–2030, i cili synon të rrisë ndjeshëm kontributin në ekonomi dhe të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj industrie.
Strategjia e re parashikon ndarjen e vendit në 6 rajone turistike të mirëpërcaktuara, me qëllim lehtësimin e menaxhimit të destinacioneve dhe zhvillimin e produkteve të reja turistike në përputhje me potencialet specifike të secilit rajon.
Strategjia përcakton objektiva të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmi deri në vitin 2030, të shoqëruara me zgjerim të kapaciteteve akomoduese, rritje të cilësisë së shërbimeve, si dhe detyra të reja për institucionet shtetërore që mbulojnë sektorin.
Në një video-mesazh, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.
“Sot mirënjohje për të gjithë stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ata dhjetëra specialistë që u përfshinë në hartimin e kësaj strategjie dhe sigurisht për partnerët tanë të GIZ që japin një kontribut të çmuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, shprehet Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.