Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë konferencës për shtyp tha se, qeveria ka caktuar një fond prej 3.9 milionë dollarë për të blerë vaksinën anti-covid. Znj. Manastirliu bëri një bilanc të investimeve të fundit në sistemin shëndetësor, masa të cilat tha ajo kanë sjellë përmirësimin e shërbimeve, gjë që vlerësohet dhe nga raportet ndërkombëtare.
“Nëse ne nuk do të kishim bërë investime në këto 7 vite në shëndetësi, buxheti për shëndetësisë është rrit me 55.3% në krahasim me vitin 2013. 30 milionë euro investime më shumë se sa viti 2013. 450 mijë qytetarë përfitojnë nga lista e barnave të rimbursueshme. Kemi rritur me 40% pagat për mjekët dhe infermierët”, tha ministrja.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se për periudhën mars-nëntor janë investuar 25 milionë euro në tri shtylla kryesore për përballimin e pandemisë së COVID-19.
“Udhëzuesit në pandemi kanë qenë shkencëtarët dhe ekspertët. Kemi ndërtuar strategji për çdo fazë të saj, për parandalimin, rihapjen, përgjigja për vjedhtë-dimër që parashikon të gjithë komponentët dhe të gjitha pikat. Kemi në dorë situatë, kemi dyfishuar kapacitet në strukturat e spitaleve. Covid-3 dhe covid-4 nuk kanë qenë në sistemin shëndetësor. E parandaluam valë e parë, nuk e përjetuam tragjedinë që përjetuan fqinjët, që përjetoi Italia”, deklaroi znj. Manastirliu.
Numri i testimeve tha ajo është rritur me 4 herë dhe parashikohet përfshirja e testeve të shpejta të antigenit. Ndërsa janë siguruar 368 mijë doza antigrip për grupet e rriskuara dhe deri tani ka përfunduar vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve.
Ministrja e Shëndetësisë foli dhe për kapacitetet e Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, ku tha se shërbimi është modernizuar dhe çdo qytetar vetëm duke marrë numrin 127 merr shërbim në kohë.
“Kemi reduktuar kohën e pritjes nga 45 minuta mesatare që ishte në rang republike në 19 minuta. Pavarësisht pandemisë dhe tërmetit kemi vijuar investimet për të përmirësuar kushtet e sistemit shëndetësor. Urgjenca kombëtare është furnizuar me flotë të re autoambulancash. 36 autoambulanca deri në fund të dhjetorit do të jenë pjesë e flotës anticovid për t’iu përgjigjur fluksit në rritje. Qytetarët janë të sigurt në dorën e Urgjencës Kombëtare dhe sistemit tonë shëndetësor”, deklaroi znj. Manastirliu.