Në Korçë është duke përfunduar rikonstruksioni i një godine e cila do të shërbejë për strehimin e qenve endacakë, si për për trajtimin e sterilizimin e tyre duke i dhënë kështu zgjidhje një problemi dhjetëravjecar në qytet.
“Bashkia Korçë ka përfunduar ndërtimin e qendrës së re që do të shërbejë për trajtimin e qenve endacakë. Në vijim për të zgjidhur një problem shqetësues për qytetarët ka nisur një bashkëpunim me veterinerët. Pra projekti është tashmë i përfunduar në aspektin e godinës dhe jemi në fazën e implementimit të procesit që synon të sjellë hapa konkretë për qytetarët “-shprehet Lorena Saro zëdhënëse e bashkisë Korçë
Kristi Morava është një nga veterinerët që prej kohësh i është dedikuar këtij problemi. Ai thekson se shqetësimi është i madh ndaj dhe kërkohet kujdes në zgjidhjen e situatës
“Qentë e pastrehë dhe numri i tyre në rritje është problem e shqetësim që është vënë re. Është shqetësim që përbën një masë për të ardhmen, sepse nqs lihet në këto kushte, do vijnë duke u shtuar gjithmonë e më tepër. Shqetësimi ekziston edhe për ata si vatra sëmundjesh, mund të përhapin sëmundje në masë. Është një investim i shumëkërkuar, emergjent, kam qenë në kontakt me struktura të bashkisë. Streheza do të thotë zgjidhje definitive duke trajtuar në mënyrë humane.”-shprehet Kristi Morava, veteriner
Të shumta kanë qenë rastet kur qentë endacakë kanë shkaktuar probleme lidhur me sëmundje të ndryshme e njëkohësisht, ka patur raste të paraqitura në spitalin rajonal të Korçës, kur qytetarë të shumtë janë sulmuar nga grupe të qenve endacakë