Një shtetas italian, i cili tentoi të fuste në Shqipëri 24 070 euro pa i deklaruar është vënë nën hetim.
Në pikën e kalimit kufitar Port, Durrës shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Shqipërisë, kaluan në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip “Porsche Cayenne”, me drejtues shtetasin italian M. A.
Nga verifikimet rezultoi se automjeti që drejtonte ky shtetas, ishte në kërkim nga Interpol Bern, Zvicër, ndërsa nga kontrolli në automjet, u gjetën të fshehura 24 070 euro, të cilat shtetasi M. A. synonte t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjit në fuqi.
Për 54-vjeçarin italian nisi procedimi në gjendje të lirë, ndërsa eurot u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi italian akuzohet për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”