Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar me tone të forta presidentin rus Vladimir Putin, pas sulmeve të fundit me dron mbi Kiev, duke shprehur shqetësim për agresionin në rritje të Moskës ndaj Ukrainës. Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se “diçka i ka ndodhur Putinit”, duke shtuar: “Ai është çmendur plotësisht! Po vret shumë njerëz pa nevojë, dhe nuk po flas vetëm për ushtarë.”
“Gjithmonë kam thënë se ai dëshiron të gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe kjo ndoshta po rezulton e vërtetë. Por nëse e bën këtë, do të çojë në rënien e Rusisë!”, paralajmëroi Trump.
Përveç kritikave ndaj Putinit, Trump nuk kurseu as presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Në të njëjtin postim, ai shkroi se “Zelensky nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në atë mënyrë”.
“Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme. Nuk më pëlqen, dhe më mirë të ndalet,” shtoi Trump, duke sinjalizuar tensione të vazhdueshme me liderin ukrainas.
Marrëdhëniet mes dy liderëve kanë qenë të ftohta që prej kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, me përplasje të hapura që kulmuan gjatë takimit në Zyrën Ovale në shkurt.
Nënjë deklaratë për media të dielën mbrëma, Trump përsëriti kritikën ndaj Putinit: “Nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur. E kam njohur për një kohë të gjatë dhe gjithmonë kemi shkuar mirë bashkë, por ai po dërgon raketa në qytete dhe po vret njerëz – kjo nuk më pëlqen aspak.”
I pyetur nëse do të shqyrtonte vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, Trump u përgjigj shkurt: “Absolutisht”.