Puthja nga tifozi shqiptar në Tiranë, gazetari serb: Mesazh i bukur! 2014-a, kohë e lënë pas, në Serbi s’pres incidente

Sfida e Tiranës mes Shqipërisë dhe Serbisë ishte brenda kufirit të një ndeshje normale futbolli dhe incidentet ishin të vogla. Vlerësimi vjen nga gazetari serb i Al Jazeera Milan Boskoviç i cili raportoi live nga Tirana të shtunën.

Në një intervistë ekskluzive për Report Tv gazetari thotë se tashmë edhe mes dy vendeve situata e 2014-s është lënë pas, ndërsa garanton se në ndeshjen e tetorit nuk pret incidente në Serbi. Për gjestin e puthjes së tifozit teksa raportonte para “Air Albania” thotë se ishte një mesazh shumë i bukur.

Intervista e plotë

Andi Kapxhiu: Sa ditë qëndruat në Tiranë dhe si u ndjeve në kryeqytetin tonë?
Milan Boskovic: Pyetje e mirë por më duhet të bëj llogaritë, ndoshta 24 orë pasi erdha në Tiranë ditën e ndeshjes rreth orës 1 në drekë dhe u largova të nesërmen rreth orës 3 kështu që i bie 26 orë ekzakt. Hera ime e parë që vija në Tiranë u ndjeva mjaft mirë dhe më pëlqen ky qytet.

Andi Kapxhiu: Çfarë mund të më thuash për atmosferën e krijuar nga tifozët në qytet, jashtë stadiumit?
Milan Boskoviç: Ndjesi të ndryshme, situata e parë në dy tablo, pasi dy rrugët kryesore nga qendra në stadium ishin mbushur me tifozë dhe situata ishte elektrizuese e nuk është se ishte shumë e këndshme të shihje edhe mesazhet që tifozët përcillnin. Por dy rrugica me tej ju mund të shikonit dhe ndjenit Tiranën e vërtetë, se si njerëzit jetojnë në jetën e përditshme dhe ishte një kontrast i madh por për gazetarët dhe shtypin. Më interesante është pjesa e parë e cila ishte diçka që unë e prisja. Nuk kishte asgjë të jashtëzakonshmen kjo edhe për shkak të tensioneve, për shkak të asaj që ka ndodhur në të kaluarën mes dy shteteve por për mua gjëja më e rëndësishme ishte që lojtarët ia kaluan mjaft mirë dhe që ndeshja u mbyll pa incidente të mëdha.

Andi Kapxhiu: Po atmosfera në shkallët e stadiumit si iu duk?
Milan Boskovic: Edhe në stadium ishte pak a shumë e njëjta situatë si në rrugët e qytetit. Ju mund të dëgjonit thirrje kundër skuadrës serbe mund të dëgjonit tifozët që këndonin këngë kundër Serbisë por e gjitha kjo është pjesë e fjalorit të tifozëve. E gjitha kjo është diçka që ne e kemi dëgjuar në rajonin tonë që e vë politikën përpara sportit. Por siç e thashë ishte gjë shumë e mirë që nuk ndodhën incidente të mëdha, kishim disa shishe në fushë por deri diku brenda normave.

Andi Kapxhiu: Çfarë mund të më thuash për ndeshjen e luajtur, për rezultatin dhe tashmë kush ka më shumë shanse për të shkuar në Botëror, Serbia apo Shqipëria?
Milan Boskoviç: Ashtu edhe siç e tha trajneri i Serbisë pika e marrë në Tiranë ishte një pikë e ëmbël për ne sepse tashmë përballjet direkte do të vendosen në Beograd ose Leskovac, varet ku ndeshja do të zhvillohet. Anglia është favoritja për ta fituar grupin dhe Shqipëria e Serbia do të luftojnë për vendin e dytë. Megjithatë edhe Anglia nuk luajti mirë ndaj Andorrës pak ditë më parë kështu që edhe Shqipëria e Serbia kanë shanset e tyre ndaj anglezëve. Është një grup shumë i hapur. Edhe në ndeshjen e së shtunës Shqipëria kishte një penallti edhe Serbia kishte raste. Unë parashikoj pak a shumë të njëjtën ndeshje edhe në Serbi kur skuadrat të luajnë sërish.

Andi Kapxhiu: Tashmë që 11 vite kanë kaluar si e kujtoni ndeshjen dhe ngjarjet e Beogradit?
Milan Boskovic: E mbaj mend mjaft mirë atë që ndodhi në Beograd. Një ndeshje që patjetër të sjell sërish emocione. Njerëzit nga të dyja palët pyesin. “çfarë ka, ku është qëllimi i kësaj”. Duke nisur nga droni që fluturoi mbi stadium e për të vijuar me reagimin e tifozëve serbë e çdo gjë tjetër. Unë mendoj se në të njëjtën kohë shumë gjëra kanë ndryshuar. Tensionet janë shumë më të ulëta tashmë dhe unë nuk pres të ndodh asgjë, asnjë incident kur Shqipëria të vijë për ndeshjen e kthimit.

Andi Kapxhiu: Dhe në fund, gjatë raportit tuaj ju kishit një surprizë kur një tifoz shqiptar iu afrua dhe ju puthi. Si u ndjetë dhe a është kjo simbolika që duhet të përcjellin shqiptarët e serbët?
Milan Boskoviç: Ajo puthje të shërbejë si një mesazh që ne mund të ecim përpara pa asnjë problem. Në ditët e sotme ka shumë tensione jo vetëm këtu në Ballkan. Të nesërmen e ndeshjes unë lëviza në Tiranë dhe ishte një ditë krejt e zakonshme, njerëzit po konsumonin kafen dhe po iknin në bregdet sepse ishte mot i mirë dhe kjo duhet të jetë jeta e të gjithëve. Dakord, ne të gjithë flasim nga pak për politikë por në fund të ditës ne jemi qenie njerëzore që duhet të kemi një jetë normale pa tensione të mëdha. Ai djali që më puthi, së pari unë ende nuk e kam kuptuar që ai e dinte apo jo që unë isha një gazetar serb.

Andi Kapxhiu: Po e dinte dhe puthjen e bëri enkas:
Milan Boskoviç: Nuk jam sigurt e them sërish por nëse e dinte ajo puthje është një mesazh i madh, i këndshëm që mua nuk më ndodh për herë të parë. E përshëndes nga Beogradi dhe siç e thash u ndjeva mjaft mirë në qytetin tuaj. Përpara ndeshjes në qytet kishte edhe shumë tifoz që nuk ishin aty për të parë futboll por për thirrje politike por unë gjithsesi u ndjeva mjaft mirë në Tiranë.

Andi Kapxhiu: Milan, faleminderit dhe ju uroj ditë të mbarë.

Milan Boskoviç: Faleminderit edhe juve për telefonatën.

Të Fundit