“Pushues rusë, vrasës, përdhunues, plaçkitës”, Berisha: Pse duhet t’i pranojmë në brigjet shqiptare

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama lidhur me mosvotimin e rezolutave që dënojnë masakrat ruse e serbe, respektivisht në Ukrainë dhe Ballkan.

Ai tha gjatë konferencës për mediat, se Rama po mban qëndrim të dyfishtë dhe nuk iu përgjigj kërkesës së Zelenskyt për të mos pritur në brigjet shqiptare pushuesit rusë.

Në nëntor të vitit 2020, kur qeveria e Kosovës kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për të paditur Serbinë për gjenocid, kur ne si opozitë ngritëm zëri fuqishëm për Kosovën në këtë padi. Rama publikisht refuzoi ta bëjë këtë. Kjo është një e vërtetë e pa mohueshme. Referohuni mediave të asaj kohe. Le të rikthehemi. Dy muajt e fundit, ne paraqitëm në parlament një rezolutë për dënimin e gjenocidit rus në Ukrainë. Është e vërtetë që gjenocidi rus në Ukrainë është evident, i qartë, por nga pikëpamja ligjore është në proces e sipër.

Por Presidenti Joe Biden pasi pa masakrën e Buchas u shpreh për gjenocid. Ne paraqitëm një rezolutë. Rezoluta jonë për gjenocidin rus në Ukrainë u refuzua nga Edi Rama. Po pse u refuzua do të thoni ju? Ai bën lojë të dyfishtë, edhe në rastin e Ukrainës. Presidenti Zelensky nderoi shqiptarët, parlamentin tonë, me një fjalim.

Ai pati vetëm një kërkesë. Nuk kërkoi nga Shqipëria aeroplanë, tanke, raketa, as municione. Ai kërkoi vetëm një gjë: Mos lejimin e turistëve rusë që të vijnë në brigjet tona. Edi Rama flakë për flakë, në mënyrën më të pacipë, më amorale, iu përgjigj se kjo nuk do të ndodhë. Pse duhet vrasësit dhe përdhunuesit rusë të shpalohen në brigjet tona? Kush e ka këtë moral veç Edi Ramës? Pse u dashka Shqipëria të ngjasojë me Serbinë në qëndrimet e saj ndaj Rusisë. Çfarë detyrimi kemi ne të pranojmë vrasës, përdhunues, plaçkitës rusë të vijnë të shpalohen në brigjet tona? Ky është akt i pa përgjegjshëm.

Cila është arsyeja? Po Shqipëria mund të krijojë lehtësirat për rehabilitim të të plagosurve në Ukrainë”, tha Berisha.

Të Fundit