Pronari i një parukerie është arrestuar kurse bashkëshortja e tij u procedua penalisht, pasi akuzohen se nuk i kanë dhënë mbi 20 mijë euro paga punonjësve të tyre në kryeqytet.
Gjithashtu dyshohet se pajisjet e biznesit ku ushtronin aktivitetin, janë të kontrabanduara.
Policia e Shtetit njoftoi sot (2 mars) se finalizoi operacionin e koduar “Kolektivi”.
“Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi B. A., 41 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen K. B., 38 vjeçe. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “mashtrimi”, “punësimi i paligjshëm”, “fshehja e të ardhurave”, “mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “kontrabanda me mallra të tjera”, sqaroi policia.
Hetimet e mëtejshme për këto 5 vepra penale i kaluan Prokurorisë së Tiranës.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
“Nuk iu dhanë pagat (rreth 20 250 € në total), punonjëseve në subjektin e tyre (parukeri), vihet në pranga pronari dhe procedohet penalisht bashkëshortja e tij.
Gjithashtu, dyshohet se pajisjet me të cilat kryhej aktiviteti ekonomik në këtë subjekt, ishin kontrabanduar.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimeve të 5 shtetaseve, se ishin shfrytëzuar në vendin e tyre të punës (parukeri), duke mos u paguar për punën e kryer, si dhe duke u mashtruar mbi këtë aspekt, nga punëdhënësit e tyre, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Kolektivi”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi B. A., 41 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen K. B., 38 vjeçe.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.



