Lediona Asabella, punonjëse sociale në Gjimnazin ‘Besnik Sykja’ në Tiranë, është shprehur se është përhapur një trend i ri te gjimnazistët, të cilët bëhen grupe nga 10 veta dhe marrin shtëpi me qira ditore, ku konsumojnë lëndë të ndryshme narkotike.
Komentet Asabella i bëri gjatë një interviste në media, ku tha se kjo metodë e bën më të vështirë që ata të kuptohen nga prindërit apo të afërmit që po konsumojnë drogë.
Ajo tha gjithashtu se në këto raste prindërit janë në vështirësi nëse duhet t’i lejojnë ose jo, duke menduar se nëse nuk i lejojnë të shkojnë në këto ambiente, do i ndajnë nga shoqëria.
“Gjimnazistët përveçse vijnë me ato bebet e syrit që janë fare të papërqëndruar dhe që zyshat i kuptojnë dhe thonë ‘shiko se filan nxënës e shikoj të shpërqëndruar dhe ka ndryshim të sjelljes’. Ajo që vë re është se një trend i ri i të rinjve sot është që të marrin ambiente me qira, kur e kanë mundësinë ekonomike.
Bashkohen 10 veta dhe e bëjnë festën në një ambient të mbyllur ku dikush i sjell këto karamele dhe të gjitha gjërat dhe nuk kuptohet shumë. Pra sado të jetë prindi i vëmendshëm, ajo nuk tregtohet lirshëm. Ajo vjen në forma të ndryshme. Marrin një shtëpi me qira, mblidhen 20 veta. Aty mund të qëndrojnë një natë. Prindi është në atë dyzimin, ‘ta lej, mos t’ja prish, se grupi e kërkon, gjithë grupi shkon, nuk po e lë vetëm’.
Kjo është e njëjta gjë me telefonin që thonë ‘t’ja blej se gjithë grupi e ka’ dhe fillon varësia. Ajo që më kanë thënë është se është shumë trend sëfundmi. Marrin një ambient, ose vilë që është larg që Policia të ndërhyjë dhe i marrin këto ambiente dhe si fillim i nisin këto gjëra”, tha Asabella.