Sipas Ministrisë së Turizmit, Shqipëria regjistroi 11,7 milionë vizitorë të huaj, gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023. Ishte ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila bëri publike shifrat, përmes një postimi në rrjete sociale.
Kumbaro theksoi se përveç rritjes së vizitorëve nga vendet e rajonit, viti 2024 ka shënuar rritje të turistëve nga Evropa Perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.
“11,7 milionë vizitorë të huaj ose 15% më shumë se viti 2023, e bën vitin 2024 një tjetër vit rekord që na dëshmoi se Shqipëria nuk është thjesht kuriozitet i momentit, por ka shtruar për së mbari rrugën e saj në rritjen e qëndrueshme në shifra , në krijimin e një oferte serioze e të diversifikuar, si dhe ofrimin e përvojave unike në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj.
Konsolidimi i tregjeve të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vëtëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjoz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas vit”, shkruan Kumbaro.