Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi goditi me mjet prerës një punonjës sigurie në Spitalin Rajonal të Fierit. Autori është identifikuar si Shkëlqim Murati.
Sipas burimeve policore, 44-vjeçari pasi ka shkuar me urgjencë në spital, ka parkuar makinën keq duke i penguar rrugën ambulancës.
Përballë kësaj situate punonjësi i sigurisë, e ka lëvizur automjetin duke e parkuar në një vend tjetër brenda ambienteve të spitalit .
Kjo gjë duket se ka acaruar 44- vjeçarin, i cili është nervozuar duke u shprehur “Pse më ke lëvizur makinën” dhe më pas e ka qëlluar me mjet prerës në njërin krah.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin Sh. M., 44 vjeç, banues në Fier, pasi për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës një punonjës sigurie në Spitalin Rajonal Fier, i cili është dëmtuar lehtë”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.



