Britania e Madhe do të dërgojë në Shqipëri ekspertë të institucioneve të bamirësisë dhe punonjës socialë për të mësuar shkaqet se përse shqiptarët largohen nga vendi.
Media britanike shkruan se përfaqësues të institucioneve do të kryejnë studime dhe do të komunikojnë me qeverinë shqiptare lidhur me fenomenin e emigrimit.
Sipas gazetës “The Mirror” ekipi britanik do të udhëtojë në zonat e Shqipërisë, ku dhe largimi i të rinjve është fenomen më i përhapur.
Qellimi i misionit është gjetja e mënyrave për të ndalur emigrimin masiv të të rinjve nga Shqipëria.
Çështja e emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe është bërë temë e politikës së ditës prej disa muajsh. Edhe pse në krahasim me shtetet e tjera, numri i shqiptarëve nuk është më i madh, në mediat britanike akuzojnë bandat shqiptare si drejtuese të trafikut të emigrantëve me gomone.
Sipas të dhënave të institucioneve britanike gjatë vitit 2022 rreth 12 mijë shqiptarë emigruan drejt në këtë shtet.