Janë me qindra qytetarët nga Kosova dhe diaspora, të cilët janë mbledhur më sheshin “Laan van Reagan en Gorbatsjov” në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës, ku këtë të hënë ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Siç shkruan REL, në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra.
(Në pamje, në të majtë Prokurori i specializuar, në të djathtë protestuesit në Hagë)
Të katër ish-krerët e UÇK-së u shprehën se e kuptojnë aktakuzën e prokurorisë, por deklaruan se janë plotësisht të pafajshëm.
E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha Thaçi.
“E kuptoj. Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dy vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falenderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.
“E kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.
“Unë e kam të vështirë që ta kuptoj akuzën dhe mënyrën si është përpiluar kjo akuzë. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i lexoi prokurorja para pak kohe. Akuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza. Jam tërësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi