Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka dënuar sulmet me molotov dhe lëndë piroteknike të protestuesve të opozitës ndaj punonjësve të policisë përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Në një reagim në rrjete sociale, ajo thotë se e drejta për të protestuar u dhunua nga një grup që në vend të fjalës, zgjodhi forcën duke sulmuar dhe lënduar efektivët.
Ajo thotë se dhuna nuk mund të jetë një mjet dhe asnjë agjendë nuk e justifikon përdorimin e saj.
“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj.
Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi. Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve.”, thotë Koçiu.



