Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit, aktivitet i cili zhvillohej në një qendër masazhi.
Në kudër të operacionit të koduar “Rekrutimi”, policia thotë se ka vënë në pranga 27-vjeçarin R. F., i cili në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale.
Policia thotë ky person i premton se do t’i punësonte si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.
“Gjithashtu, në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë një shtetas 30-vjeçar (klient i qendrës së masazhit) dhe u proceduan penalisht 3 punonjëse të qendrës së masazhit, për veprën penale “Prostitucioni”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë i policisë
Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit.
Operacioni i koduar “Rekrutimi”, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Goditet një rast i shfrytëzimit për prostitucion dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.
Vihet në pranga, për shfrytëzim për prostitucion dhe për mbajtje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, menaxheri i një qendre masazhi.
Në pranga edhe një klient i qendrës së masazhit.
Procedohen penalisht dhe 3 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi R. F., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.
Gjithashtu, në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë një shtetas 30-vjeçar (klient i qendrës së masazhit) dhe u proceduan penalisht 3 punonjëse të qendrës së masazhit, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.