Propozimi për martesë përfundon në tragjedi, aeroplani rrëzohet pasi ajo tha… “Po”

Një moment romantik u shndërrua në katastrofë në Adana të Turqisë, ku një avion i vogël “Ultra Light” u rrëzua në një plantacion agrumesh gjatë një propozimi për martesë, duke lënë të plagosur rëndë dy persona.

Ngjarja ndodhi në rrethin Yüreğir, pranë pistës “Kelaynak”. Në bord ndodheshin piloti 39-vjeçar Burak Yürekli dhe Şeyda Doğan. Sipas mediave turke, e reja ishte ftuar për një fluturim të shkurtër, ndërsa i dashuri i saj kishte planifikuar ta surprizonte me një propozim nga toka, përmes radiolidhjes.

Pamjet e regjistruara nga të pranishmit tregojnë momentin kur Şeyda përgjigjet “Po”, vetëm pak sekonda para se avioni të humbiste kontrollin dhe të përplasej në tokë.

Të dy pasagjerët u dërguan me urgjencë në Spitalin Universitar të Adanasë dhe ndodhen në gjendje të rëndë. Autoritetet turke po hetojnë shkaqet e aksidentit.

Të Fundit