Propozimi i KQZ: T’i shtohet një mandat Tiranës, i hiqet Korçës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar relacionin për shpërndarjen e mandateve sipas qarqeve në varësi të numrit të popullsisë.

Në bazë të këtij propozimi të KQZ, Tiranës i shtohet një mandat duke shkuar në 37 mandate, ndërsa Korçës i hiqet një mandat duke shkuar në 10 mandate.

“Referuar kritereve dhe procedurës për caktimin e numrit të mandateve të përcaktuara në nenin 75, të Kodit Zgjedhor si dhe të dhënave të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është llogaritur numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore si më poshtë: Numri total i shtetasve 4627824 është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 33056 si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati [numri real i dalë nga pjesëtimi është 33055,88571]. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati. Çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim. Pas këtij veprimi mbetën pa u shpërndarë edhe 7 mandate për të plotësuar numrin 140. Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes zgjedhore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm”, shpjegon KQZ.

Të Fundit