Disa herë kemi transmetuar denoncime për Suzana Isufajn, me pretendimin, se ajo përmes dokumentave të parregullta ka përfituar prona, që nuk i takojnë. Silvi Golja, një i afërm i Suzanës, dëshmoi nga Kanadaja, se Isufaj e ka dhënë pronën e babait të tij me qira në vitin 2021 mbi bazën e një prokure, që i ati, Agron Golja, i kishte dhënë Suzanës për përfaqësim në gjyqe, por që kishte skaduar në vitin 2017. Të ardhurat e qirasë së pronës, me 25 bashkëpronarë i merr vetëm Suzana Isufaj. Gjithcka nisi me një kërkesë-padi të janarit 2012, me të cilën Suzana Isufaj kërkon të godasë një vendim të vitit 2007 të Agjensisë së Kthimit të Pronave. Përmes këtij procesi gjyqsor Suzana synonte të bëhej pronare e 100 hektarëve pronë, anës detit në Ksamil. Prona kap vlerën e tregut rreth 300 milionë euro. Palë procesin e mbyllur në kohë rekord, për tre muaj, kanë qenë Agjensia e Kthimit të Pronave dhe Avokatura e Shtetit, dy institucione Kushtetuese, që mbrojnë interesat e shtetit Shqiptar. Ka dyshime, se firma e përfaqësuesit të Avokaturës së Shtetit Kristaq Kutra ishte e falsifikuar, nëse krahasohet me të të tjera nënshkrime të tij. Trupi gjykues, me kryesues Alltun Cela, dhe anëtarë Nevrie Duka dhe Petrit Aliaj, vendosën pranimin e kërkesës së Suzana Isufaj Cini, duke e bërë pronare të 100 hektarëve prona në Ksamil. Ish-kryetari i Gjykatës Sarandë Alltun Çelën, iu shmang shpjegimit, duke thënë, se nuk i kujtohej rasti.Menjëherë pas transmetimit tonë, Avokatura e Shtetit falenderoi emisionin “Stop”, duke rivendosur afatet për këtë vendim, që tani do të apelohet nga ky institucion shtetëror.
