Disa ditë më parë transmetuam apelin e qytetarit Mhill Hasani, i cili iu drejtua emisionit “Stop” pas 700 ditësh pritjeje për të marrë celularin e të birit, Gjon Hasani. Ky i fundit kishte ndërruar jetë tragjikisht, duke kryer vetëvrasje dhe Mhilli kërkoi të paktën kujtimet e të birit në telefonin e tij. Pas ngjarjes, pajisja ishte sekuestruar nga Policia dhe Prokuroria si provë materiale, por askush nuk i kishte dhënë informacion familjes. Gjatë kësaj kohe, u ndërruan disa oficerë hetues, ndër ta edhe Violeta Progni nga Komisariati nr. 6, ndërsa çështjen e mori në dorë prokurori Shpëtim Garunja.Pas ndërhyrjes së “Stop”-it, prokurori premtoi, që të kryeheshin të gjitha procedurat dhe celulari t’i dorëzohej familjarëve. Dhe në fakt, disa ditë më vonë, babai i të ndjerit na njofton, se iu kthye celulari i të birit bashkë me kujtimet, që kishte në të.




