Ish-drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë, Aida Demi, aktualisht drejtoreshë e Postës Shqiptare, është nën hetim penal prej më shumë se tre vitesh për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe legalizime fiktive në masë. Megjithatë, ajo jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por është emëruar në një tjetër post publik.
Sipas burimeve, gjatë kohës që drejtonte Kadastrën, Demi ka përfituar një sipërfaqe toke pranë “Hotel Demi” me dokumente të falsifikuara – pronë për të cilën është në hetim nga Prokuroria e Sarandës. Pavarësisht kësaj, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AZHT) i ka dhënë së fundmi leje ndërtimi për të njëjtën pasuri, duke ngritur dyshime për lidhje dhe ndikime të forta institucionale.
Raportet e institucioneve kontrolluese flasin për rreth 270 legalizime të dyshimta të kryera në Sarandë gjatë drejtimit të saj, përfshirë edhe prona të lidhura me vetë ish-drejtoreshën.
Ndërkohë, Prokuroria e Sarandës nuk ka marrë ende masa konkrete, edhe pse hetimet kanë nisur prej më shumë se tre vitesh, duke krijuar perceptimin e një dosjeje të “zvarritur” dhe të mbrojtur.
Emisioni investigativ “Stop” ka publikuar më herët dokumente dhe prova konkrete që tregojnë mënyrën se si Aida Demi ka përvetësuar pronën përmes falsifikimeve, duke konfirmuar skemën e abuzimit me detyrën.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi dy standardet e drejtësisë në Shqipëri: ndërsa disa zyrtarë përballen me ndëshkime të ashpra për abuzime, të tjerë me lidhje politike apo institucionale, si në rastin e Aida Demit, vazhdojnë të përfitojnë leje ndërtimi dhe pozicione publike.
Ekspertë të fushës e konsiderojnë këtë një dështim të sistemit të drejtësisë dhe kontrollit shtetëror, që minon besimin e qytetarëve në ligj dhe në institucionet publike.