Kryeministri Edi Rama reagoi pas deklaratës së prokurorit special në Gjykatën e Hagës, sipas të cilit Hashim Thaçi ishte i aftë të maskonte realitetin duke gënjyer disa herë ndërkombëtarët.
Rama shpërndau në faqen e vet në Facebook momentin nga deklarata e gjyqtarit shoqëruar me përshkrimin: Çfarë idioti ndërkombëtar.
Në pretencën e vet, ditën e dytë të deklarimeve kundër Thaçit dhe të tjerëve, prokurori special pretendoi se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, ndaj deklaratat e këtyre të fundit duhet të merren me rezervë lidhur me UÇK-në, komandën e organizatës dhe rolin e ish-eprorëve në të.
“Ata nuk e dinin se Thaçi mund të bënte emërime ushtarake…Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Ëesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”, tha Prokuroria.
Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin.



