Projekti “Smart City”, Rama: Brenda dy viteve do të jemi mes vendeve më të sigurta

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të premte i pranishëm në aktivitetin “Smart City Albania”, një projekti, i cili parashikon instalimin e mbi 5 mijë kamerave inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë nga Tirana në Sarandë, nga Shkodra në Gjirokastër, si dhe 3 mijë kamera trupi që do të vendosen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit.

Rama gjatë fjalimit të tij foli për instalimin e këtij sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente, i cili do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave dhe mjediseve të tjera publike.

“Syri i “Smart City” është një sy që shikon gjithandej në të njëjtën kohë dhe që mbledh të gjitha informacionet e nevojshme për të sinjalizuar problemin.

Nuk ka nevojë të presim nga postoblloqet e policisë për të mbledhur taksat e papaguara të drejtuesve të automjeteve. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale, pastaj policia ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione.

Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera punonjësin e policisë që nuk përmbush standardin e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë, sepse në kohë reale kamera e trupit të një polici që është duke debatuar me një qytetar e sjell debatin në sallën operative.

Është e pamundur që kamera të fiket sipas dëshirës, sepse kamera e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër.

Siguria në shkolla ndryshon rrënjësisht. Qysh se ky sistem ka hyrë në shkolla, jo vetëm që kanë rënë në mënyrë drastike krimet e çdo natyre, por ka rënë në mënyrë drastike edhe mungesa në shkollë, kopjet, shfaqjet e kthimit të klasës në një kënd lodrash, sepse i gjithë sistemi funksionon për mësuesin, për prindin, për shkollën dhe Ministrinë e Arsimit, dhe në momentin që policia ka nevojë të bëjë një verifikim, i ka të gjitha të regjistruara.

Ashtu siç një person i afrohet derës së shkollës apo persona të padëshiruar vijnë për të shpërndarë lëndë narkotike, policia i sheh në kohë reale. Elementet e kriminalitetit të rrugës e kanë të pamundur të shkojnë ku të duan dhe të bëjnë çfarë të duan, sepse janë nën sytë e policisë gjatë gjithë kohës. Kjo është një sfidë menaxhimi, ku ta çojmë përpara këtë projekt.

Është normale që një pjesë e Policisë së Shtetit të mos e dojë këtë projekt, sepse ky projekt do ta bëjë të mundur që shumë nga ato gjëra që sot dhe çdo ditë janë shqetësim për punonjësit e policisë, për popullsinë të bëhen të pamundura.

Brenda dy viteve, Shqipëria do të jetë në nivelin e vendeve më të sigurta të botës falë implementimit të projektit “Smart City”, pasi do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur, të lëvizet në rrugët e Shqipërisë për të bërë keq”, u shpreh Rama.

Të Fundit