Një operacion policor i koduar “Bilanci”, i zhvilluar në Zog të Zi në kryeqytet ka zbuluar një skemë evazioni fiskal dhe shkeljesh të rënda ligjore në një spital privat.
Operacioni u bazua në një hetim disa mujor të koordinuar me Prokurorinë e Tiranës, ku u dokumentuan një sërë veprash penale ekonomike dhe kundër shëndetit publik, të kryera për llogari të subjektit shëndetësor.
Nga hetimet dhe kontrollet rezultoi se subjekti nuk kishte deklaruar fitime në vlerë mbi 1 milion euro, për periudhën 2024-2025;
Shërbimet mjekësore kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim, të dyshuara si të kontrabanduara ose të skaduara;
Në subjekt gjithashtu punonin 5 persona të pasiguruar, në kundërshtim me ligjin. Si rezultat, u arrestua administratori i spitalit, Edmond Zaja 62 vjeç; U shpallën në kërkim dy bashkëaksionerët e subjektit: shtetasi turk Bilal Kara 45 vjeç, dhe shtetasja shqiptare Geriana Arapi, 32 vjeçe;
Ndërkohë, janë sekuestruar 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara si të skaduara, 6 njësi kompjuterike, që dyshohet se përmbajnë të dhëna komprometuese.
Gjithashtu, autoritetet bllokuan aktivitetin e spitalit privat “Sante Plus”, ndërsa vijon puna për kapjen e dy të kërkuarve dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij subjekti.