Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë të ditur se të martën, më 17 qershor 2025, do të nisë procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan.
Në një postim në Facebook, Celibashi deklaron se do të rinumërohen gjithsej 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kuti votimi nga jashtë vendit. Procesi do të zhvillohet nga 24 grupe numërimi me gjithsej 63 punonjës të administratës, nga të cilët 48 janë numërues dhe 15 zëvendësues.
Rinumërimi do të bëhet në 24 tavolina të vendosura në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, me praninë e vëzhguesve të autorizuar nga tre subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia. I gjithë procesi do të transmetohet live në rrjetet sociale të KQZ-së, sipas Celibashit.
Postimi i plotë:
Procesi i RINUMËRIMIT nis nesër në datë 17 Qershor 2025
Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vënë në lëvizje KQZ dhe një nga operacionet më të rëndësishme zgjedhore pas votimit: rinumërimin e kutive të votimit. Ky proces garantohet nga profesionalizmi i administratës së KQZ-së dhe transparenca ndaj publikut duke transmetuar direkt online çdo veprim të kryer!
Çfarë përfshin rinumërimi?
Në total, do të hapen 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit.
Procesi zhvillohet nga 24 grupe numërimi, me 63 punonjës të administratës (48 numërues + 15 zëvendësues).
Rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.
Ku po zhvillohet rinumërimi? I gjithë procesi realizohet në Pallatin e Sportit Farie Hoti në Tiranë dhe transmetohet live në rrjetet sociale të KQZ
Për cilat qarqe zhvillohet rinumërimi?
QARKU TIRANË
Të gjitha kutitë e votimit brenda vendit
18 KZAZ
1.282 qendra votimi
QARKU FIER
Të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët
9 KZAZ
587 qendra votimi
QARKU DURRËS
Rinumërim i plotë për:
111 QV të KZAZ nr. 21 dhe 22
126 QV të listuara nga PD-ASHM
60 QV të kërkuara nga PLL
Përfshirë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit
Në total: 360 kuti për rinumërim (275 brenda vendit + 85 jashtë)
QARKU ELBASAN
94 QV të KZAZ nr. 45 dhe 52 (fletë votimi dhe materiale zgjedhore)
Transparencë edhe për buxhetin:
• 7.858.600 lekë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve
• 8.480.000 lekë për infrastrukturën logjistike
• 4.775.450 lekë për zarfe dhe materiale ndihmëse
Procesi i rinumërimit është një tjetër dëshmi e përkushtimit të KQZ-së për zgjedhje transparente, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.